top of page

Prof. Dr. Hëna Pasho, Përmetarja fisnike, kombinim i dijes dhe korrektësisë



ree

Prof. Dr. Hëna Pasho, Përmetarja fisnike e jashtëzakonshme, e edukuar, e përkushtuar dhe e palodhur në punën e saj shkencore.

Figura e saj përfaqësonte kombinimin unik të dijes, korrektësisë dhe pasionit për gjuhën shqipe, duke u shndërruar në një model të vërtetë akademik për brezat e rinj.


Si studiuse e shquar e terminologjisë dhe e gjuhësisë shqiptare, ajo kontribuoi me pasion dhe rigorozitet në ndërtimin e fjalorëve, monografive dhe artikujve shkencorë që sot mbeten vlera të çmuara të dijes shqiptare.


Por Hëna Pasho nuk ishte vetëm një akademike e respektuar; ajo ishte shoqe e çmuar, bashkëpunëtore e ndershme dhe një frymëzim për të gjithë ata që patën fatin të punojnë pranë saj. Trashëgimia e saj nuk matet vetëm me veprat shkencore, por edhe me ndikimin e saj të thellë mbi njerëzit, kolegët dhe komunitetin akademik.


Largimi i saj krijon një zbrazëti të madhe, por kujtimi i punës, seriozitetit dhe fisnikërisë së saj do të mbetet gjithmonë i paharruar.


Biografi


Prof. dr. Hëna Pasho

1941-2025


Para pak ditësh u largua nga jeta gjuhëtarja e shquar, prof. dr. Hëna Pasho. Profesorja lindi në Përmet. Kreu shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori”, Tiranë, dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë shqipe e letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të larta në vitin më 1966. Për 3 vjet punoi si mësuese dhe si drejtuese shkolle në Përmet. Në vitin 1969 fillon punë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, kurse në vitin 1972 fillon punë në sektorin e terminologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ku punon deri në vitin 2009, kur del në pension.

Prof. Hëna Pasho ka qenë një nga studiueset më të spikatura në Albanologji dhe në Institutin e Gjuhësisë deri në kohën që pensionohet, ishte e vetmja femër që mbante titullin “Profesor”. Ajo pati fatin e madh të punonte me akad. Eqrem Çabej, me akad. Mahir Domi, me akad. Androkli Kostallari, me akad. Jani Thomai, dhe me shumë dijetarë të tjerë, si prof. Lirak Dodbiba, prof. Ferdinand Leka, prof. Jorgji Gjinari prof. Miço Samara të tjerë, nga të cilët mësoi shumë. Ajo punoi në një mjedis pune e në një institucion shkencor elitar dhe aty u rrit dhe u maturua si shkencëtare e denjë.

Prof. Hëna Pasho ishte skrupuloze në punë, korrekte deri në detaje, bashkëpunuese e kërkuese. Ndërtoi marrëdhënie shumë të mira me kolegët dhe dha ndihmesa të çmueshme në shumë drejtime të punës shkencore në Institut. Ajo kreu detyra të ndryshme, si: anëtare dhe sekretare shkencore e Këshillit Shkencor të Institutit, anëtare e redaksisë së revistës “Studime filologjike” dhe përgjegjëse e seksionit të terminologjisë.

Prof. Hëna Pasho, në vitin 1988, ndoqi “Shkollën verore” të Vienës (INFOTERM), pranë Qendrës ndërkombëtare e terminologjisë, duke pasuruar e konsoliduar formimin e vet shkencor.

Fusha saj e ngushtë e studimeve ishte terminografia dhe terminologjia e shkencave shoqërore. Ajo punoi në dhjetëra grupe pune me specialistë e gjuhëtarë për hartimin e 12 fjalorëve terminologjikë normues (shqip-gjuhë të huaja) për disiplinat e ekonomisë, të drejtësisë, të gjeografisë e të anatomisë, që janë vepra kolektive dhe ku ndihmesa e saj si drejtuese dhe si hartuese janë të vlerësuara shkencërisht. Po përmendim këtu vepra, si: Fjalor i termave të ekonomisë politike (shqip-rusisht-frëngjisht), Tiranë, 1983 (b/autore dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të statistikës (shqip-rusisht-frëngjisht),Tiranë, 1983 (b/ autor dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të financës dhe të kontabilitetit (shqip-rusisht-frëngjisht), Tiranë, 1985 (b/autore dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të planifikimit (shqip-rusisht-frëngjisht), Tiranë, 1988 (b/autore dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të tregtisë së brendshme (shqip-frëngjisht-rusisht), Tiranë, 1999 (b/autore dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të ekonomisë së transportit (shqip-anglisht-frëngjisht-rusisht), Tiranë, 2002 (b/autore dhe redaktore shkencore kryesore); Fjalor i termave të gjeografisë (shqip-rusisht-frëngjisht), Tiranë, 1975 (b/autore); Fjalor i termave të anatomisë (shqip-frëngjisht-rusisht), Tiranë, 1986 (b/autore); Fjalor i termave të së drejtës (shqip-frëngjisht-rusisht), Tiranë, 1986 (b/ autore); Fjalor i termave të bankës (shqip-frëngjisht-anglisht-italisht-rusisht) (b/ autore dhe redaktore shkencore kryesore).

Prof. Hëna Pasho hartoi gjithashtu, dy monografi: “Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe nga Rilindja deri në vitet ’80 të shekullit XX” dhe “Togfjalëshi terminologjik në gjuhën shqipe”.

Edhe pas daljes në pension, ajo nuk i ndërpreu asnjë çast marrëdhëniet me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Në vitin 2017 Instituti botoi përmbledhjen e saj me artikuj “Probleme gjuhësore të terminologjisë në gjuhën shqipe”.

Këta 4 vjetët e fundit ajo dha ndihmesë të çmuar në pasurimin e Korpusit elektronik për Fjalorin e Madh të Gjuhës shqipe (me 125.000 fjalë e që është në proces përfundimi) me terma nga fusha e financës, e ekonomisë, e bankës etj.

Prof. Hëna Pasho ka publikuar mjaft artikuj e studime në revista shkencore brenda e jashtë vendit për probleme të terminologjisë, të lidhjeve të termit me gjuhën letrare apo për vepra të autorëve të ndryshëm etj. Ajo ka marrë pjesë në projektin ndërkombëtar për hartimin e një fjalori shumëgjuhësh me terma të bibliotekës, me cilësinë e konsulentes gjuhësore për termat shqip, projekt i drejtuar nga Resarch Development Department National and University Library, Ljubljana, Slovenia.

Emri i prof. Hëna Pasho është përfshirë në “International Who’s in Translation Terminology/ Traduction et Terminologie-Répertoire biographique internacional”, 1995.

Gjithashtu ajo është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III dhe me Medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.

Largimi i prof. Hëna Pasho nga jeta dhe kalimi në amshim krijon një zbrazëti që e ndiejnë jo vetëm të afërmit, por dhe ne ish-kolegët e saj të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.

Nderim dhe respekt për figurën e saj, për punën e trashëgiminë e vyer shkencore që la pas!

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page