top of page

'Schiller". Letra e trembedhjetë mbi edukimin estetik të njeriut. Përktheu nga Gjermanishtja Dr. Elda Gjana-Boriçi.

Updated: Nov 25, 2024

Marrë nga: "Mbi edukimin estetik të njeriut"

Universiteti Schiller



Letra e trembëdhjetë 

Në një shqyrtim të parë asgjë nuk duket më e kundërvënë ndaj njëra – tjetrës se sa këta dy instinkte; ndërkohë që njëri ka si objekt të vet ndryshimin, tjetri ka pandryshueshmërinë. Por megjithatë janë pikërisht këto dy nocione që shterojnë plotësisht nocionin e njerëzimit, dhe një instinkt i tretë themelor, që i ndërmjetëson të dy, është kryekëput një nocion i përfytyrueshëm. Ndaj shtrohet pyetja, si mund të rivendoset vallë uniteti i natyrës njerëzore, një unitet ky i cili shkatërrohet plotësisht nga kjo kundërvënie primitive dhe radikale?   

 Unë e pranoj se këto dy tendenca kundërshtojnë vetveten, por, ajo që vihet re është se ato nuk futen në të njëjtat objekte. Mirëpo ajo ç’ka nuk takohet, nuk mund të përplaset me njëra – tjetrën. Përveç kësaj, është e vërtetë që instinkti epshor kërkon ndryshim, por nuk kërkon që të shtrihet edhe te personaliteti dhe të përfshijë fushën e tij, e as të jetë një ndryshim i parimeve. Nga ana tjetër, instinkti i formës synon unitetin dhe qëndrueshmërinë, por ai nuk do që kushtëzimi të fiksohet me personalitetin, e që të shndërrohet në një identitet të ndijimit. Pra, si instinkte në vetvete, ato nuk janë të ndarë nga natyra, e nëse shfaqen si të tillë, kjo ndodh pikërisht sepse së pari ato u krijuan nëpërmjet një shkeljeje të lirë të rregullave të natyrës, nëpërmjet mohimit të vetvetes dhe ngatërrimit të sferave të tyre vepruese. Kësisoj është detyra e kulturës për të ruajtur e për të mbikëqyrur kufijtë e çdonjërit prej këtyre dy instinkteve; rrjedhimisht ajo u ka borxh të dyjave një drejtësi të barabartë, e të mbrojë jo vetëm instinktin racional ndaj atij shqisor, por edhe këtë të fundit ndaj të parit. Pra, puna e tij është e dyfishtë: së pari: që shqisat të protestojnë kundër sulmeve të lirisë; së dyti: që personaliteti të vendoset me siguri kundër pushtetit të ndjenjave. Njërin prej qëllimeve ai e arrin nëpërmjet kultivimit të aftësisë së ndjenjave, kurse tjetrin nëpërmjet kultivimit të aftësisë së arsyes. 

Meqenëse bota zhvillohet në kohë ose në ndryshime, përsosmëria e aftësisë që i lidh njerëzit me botën, lipset të jetë domosdoshmërisht shtrirja dhe ndryshueshmëria më e madhe e mundshme. Meqenëse personaliteti është ai që mbetet i qëndrueshëm përgjatë ndryshimit, atëherë përsosmëria e asaj aftësie, e cila duhet t’i kundërvihet ndryshimit, duket të jetë liria më e madhe e mundshme e veprimit (autonomia) dhe e intensitetit. Sa më e shumanshme të zhvillohet gatishmëria për të perceptuar, sa më e lëvizshme të jetë ajo, dhe sa më shumë sipërfaqe t’u japë ajo pamjeve, aq më tepër botë koncepton njeriu, aq më shumë prirje zhvillon ai brenda vetes; sa më shumë forcë dhe thellësi të fitojë personaliteti, sa më shumë liri arsyeja; aq më shumë botë koncepton njeriu, aq më tepër formë krijon ai jashtë vetes. Rrjedhimisht, kultura e tij konsiston së pari: në vendosjen e aftësisë perceptuese në kontakt me botën në numrin më të madh të mundshëm të pikëtakimeve dhe në nxitjen e pasivitetit, nga pikëpamja e ndjenjës, në shkallën më të lartë; së dyti: në sigurimin e masës më të madhe të mundshme të pavarësisë për aftësinë determinuese, në lidhje me fuqinë perceptuese, dhe në nxitjen e aktivitetit, nga pikëpamja e arsyes, në shkallën më të lartë. Atje ku bashkohen të dyja këto cilësi, aty njeriu do të lidhë në plotësinë më të madhe të qenies, vetëspontanitetin (autonominë) e nivelit më të lartë me lirinë dhe, në vend që të braktisë veten te bota e të humbë në të, përkundrazi, do të arrijë ta thithë atë brenda vetes me tërë pafundësinë e fenomeneve të saj, në mënyrë që ajo t’i nënshtrohet kështu unitetit të arsyes së tij. 

Mirëpo, njeriu mund ta këmbejë këtë marrëdhënie dhe si rrjedhojë të dështojë në përmbushjen e qëllimit të vet në këto dy mënyra. Ai mund të vendosë mbi forcën pasive intensitetin e kërkuar prej forcës aktive; më tej, ai mund të cënojë kufirin e të kalojë nga instinkti material në atë formal, e të këmbejë fuqinë perceptuese me atë determinuese. Gjithashtu ai mund t’i mveshë forcës aktive thellsinë që i takon forcës pasive, për të cënuar kështu kufirin e për të kaluar nga instinkti formal tek ai material, e për të zëvendësuar kështu fuqinë determinuese me atë perceptuese. Mirëpo, në rastin e parë ai nuk do të jetë kurrë një Ego, një personalitet, kurse në të dytin nuk do të jetë kurrë një Jo-Ego, si rrjedhim në të dyja këto raste ai nuk do të jetë as njëra dhe as tjetra, për pasojë do të jetë asgjë. 

Faktikisht, nëse instinkti shqisor bëhet përcaktues, pra nëse shqisa bën ligjvënësin dhe bota mposht personalitetin, atëherë njeriu humbet si objekt atë ç’ka fiton si forcë. Madje për të mund të thuhet se kur ai është vetëm përmbajtja e kohës, atëherë ai nuk është, dhe si rrjedhim nuk ka kurrfarë përmbajtjeje. Në këtë kuptim, gjendja e tij shkatërrohet në po të njëjtën kohë me personalitetin e vet, sepse të dyja ato janë ide të ndërvarura dhe sepse ndryshimi kërkon një gjendje të qëndrueshme dhe realiteti i kufizuar një personalitet të pafund. Nëse instinkti i formës bëhet perceptues, kjo do të thotë se forca logjike e ndjenjës vjen më parë dhe personi e këmben veten me botën, duke humbur si subjekt dhe forcë autonome atë që fiton si objekt, për shkak se pandryshueshmëria implikon ndryshim dhe realiteti absolut për të manifestuar vetveten kërkon kufij. Për aq sa njeriu është vetëm formë, ai nuk ka formë, dhe si rrjedhim personaliteti i tij është zhdukur bashkë me gjendjen. Me një fjalë: vetëm për aq kohë sa ai është i ndjeshëm dhe perceptues; Ndodh vetëm për shkak se ai është perceptues, që ka realitet brenda tij dhe se ai shfaqet si një forcë menduese. 

Në këtë kuptim të dy instinktet kanë kufizim dhe, për aq kohë që ato mendohen si energji, kanë nevojë për kalitje; i pari që të mos cënojë fushën e ligjvënies, dhe tjetri që të mos ndërhyjë në fushën e ndjenjave. Kjo kalitje e instinktit shqisor në asnjë mënyrë s’duhet të jetë pasoja e një paaftësie fizike, e një mpirjeje ndjenjash, që kudo meriton vetëm përçmim, ajo duhet të jetë një veprim i lirisë, një aktivitet i personit, i cili nëpërmjet intensitetit të tij moral zbut intensitetin shqisor dhe nëpërmjet mbizotërimit të mbresave merr prej tyre në thellësi atë ç’ka u jep në gjerësi apo në sipërfaqe. Karakteri duhet t’i përcaktojë temperamentit kufijtë e tij, sepse ndjenjat kanë të drejtë të humbasin edhe elementë të tyre nëse kjo shkon në avantazh të mendjes. Nga ana tjetër kalitja e instinktit të formës mund të mos vijë si rezultat i paaftësisë morale apo nga një plogështi e mendimit ose vullnetit, e cila do ta degradonte njerëzimin. Ndaj, është e nevojshme që burimi i lavdishëm i kësaj kalitjeje të dytë të jetë plotësia e ndjenjave; është e nevojshme që aftësia shqisore në vetvete ta ruajë me forcë ngadhënjyese fushën e saj dhe t’i bëjë qëndresë dhunës, që aktiviteti pushtues i mendjes mund t’i diktojë. Pra është e nevojshme që instinkti material të ruhet në caqet e pronësisë së vet nga ana e personalitetit, kurse instinkti i formës nga ana e natyrës ose perceptueshmërisë. 


  

Letra e katërmbëdhjetë 

Tashmë kemi mbërritur te koncepti i ndërveprimit midis dy instinkteve, ku efektshmëria e njërit motivon dhe kufizon njëkohësisht atë të tjetrit, dhe ku secili nga këto instinkteve, i marrë në veçanti, arrin në shkallën e tij më të lartë të manifestimit pikërisht në sajë të të qenit të tjetrit aktiv.

Ky raport këmbimi i të dy instinkteve është vetëm një detyrë e arsyes, të cilën njeriu është në gjendje ta zgjidhë krejtësisht vetëm nëpërmjet përsosjes së ekzistencës së tij. Pra, në kuptimin më rigoroz të fjalës, kjo është pikërisht ideja e njerëzimit; për pasojë, duke qenë diçka e pambarimtë, njeriu mund t’i afrohet asaj, në rrjedhën e kohës, gjithnjë e më pranë, por pa e arritur kurrë ndonjëherë. E kjo, sepse “ai nuk duhet të synojë formën në dëm të realitetit të tij, dhe as realitetin në dëm të formës; më shumë ai duhet të kërkojë qenien absolute nëpërmjet një të përcaktuareje dhe qenien e përcaktuar nëpërmjet një të pafundme. Përveç kësaj, ai duhet të ballafaqohet me botën përpara tij, sepse vetëm ai e ka botën përballë. Gjithashtu, ai duhet të ndjejë sepse është i ndërgjegjshëm për vetveten, pikërisht sepse ndjen.” E ndodh vetëm në përputhshmëri me një ide të tillë që, ai është njeri në kuptimin e plotë të fjalës, e se kurrë nuk mund të bindet për këtë, për aq kohë sa do të kënaqë përjashtimisht vetëm njërin nga këto instinkte, ose vetëm njërin pas tjetrit; Për aq kohë sa vetëm ndjen, ekzistenca dhe personaliteti i tij absolut, do të mbeten për të vetëm një mister, dhe për aq kohë sa vetëm mendon, gjendja dhe ekzistenca e tij në kohë kanë për t’iu zhdukur nga sytë. Por nëse ka raste ku ai do të provonte njëkohësisht këtë përvojë të dyfishtë, ku ai do të provohej njëkohësisht i ndërgjegjshëm për lirinë e vet dhe për ndjenjën e ekzistencës së tij, në të cilën ai do të ndihej njëkohësisht si materie dhe do ta ndjente vetveten si shpirt, atëherë në të tilla raste dhe kryekëput vetëm në këto, ai do të arrinte të kishte një këndvështrim të plotë për njerëzimin, dhe objekti që do t’ia siguronte këtë këndvështrim do të ishte si një simbol i fatit të tij të përmbushur, për pasojë do t’i shërbente si një shprehës i të pambarimtës, përderisa ky fat mund të përmbushej vetëm në plotësinë e kohës. 

Po të supozojmë, që raste të këtij lloji mund ta paraqesin veten edhe në eksperiencë, atëherë ato do të zgjojnë brenda tij një instinkt të ri, i cili – pikërisht për shkak se të dy instinktet e tjera do të bashkëveprojnë me të – i marrë në veçanti, do t’i kundërvihet çdonjërit prej tyre, duke fituar kështu të drejtat e një instinkti vërtet të ri. Instinkti sensual p.sh. dëshiron që të ketë gjithmonë ndryshim, që koha të ketë një përmbajtje, ndërkohë që instinkti i formës kërkon që koha të nënshtrohet, të shtypet, që të mos ketë asnjë ndryshim. Pra, ai instinkt tek i cili të dy instinktet e tjerë veprojnë të lidhur – më lejoni që derisa ta shpjegoj më qartë termin, këtë instinkt ta quaj instinkti i lojës – pra, instinkti i lojës do të ketë për objekt të vetin shtypjen e kohës me kohë, në mënyrë që të bashkojë gjendjen e tranzicionit ose të ardhjes me qenien absolute dhe ndryshimin me identitetin. 

Nga ana tjetër, instinkti shqisor ka nevojë të përcaktohet, ka nevojë të marrë një objekt të caktuar; ndërkohë që instinkti i formës do të përcaktojë vetë, do të prodhojë vetë një objekt; Për këtë arsye, instinkti i lojës do të përpiqet të marrë atë që ai vetë do të kishte prodhuar, dhe të prodhojë atë ç’ka ai aspiron të marrë, se si shqisa synon të marrë. 

Përveç kësaj, instinkti shqisor përjashton nga subjekti i tij gjithë autonominë dhe lirinë, kurse instinkti i formës gjithë varësinë dhe pasivitetin. Më tej, mund të shtojmë se përjashtimi i lirisë është një domosdoshmëri fizike, ndërsa përjashtimi i pasivitetit një domosdoshmëri morale. Pra të dy instinktet detyrojnë karakterin, njëri nëpërmjet ligjeve të natyrës, tjetri nëpërmjet ligjeve të arsyes. Atëherë instinkti i lojës, përderisa unifikon veprimin e dyfishtë të dy instinkteve të tjerë, do të kënaqë mendjen si moralisht ashtu edhe fizikisht; pra ai, meqenëse shtyp gjithçka kalimtare, do arrijë të shtypë njëkohësisht edhe gjithçka detyruese, duke e lënë kështu njeriun të lirë si fizikisht ashtu edhe moralisht. Nëse ne e presim me pasion dikë, i cili është i denjë për përçmimin tonë, atëherë ne do të ndjejmë dhimbshëm se natyra në këtë rast është shtrënguar. Nëse ne mbajmë qëndrim armiqësor ndaj një tjetri, i cili na ngjall respekt, atëherë ne do të ndjejmë dhimbshëm se në këtë rast është arsyeja ajo që është shtrënguar. Po nëse ky person na frymëzon neve me interesin ndaj tij, duke fituar kështu vëmendjen tonë, atëherë shtrëngimi i ndjenjës zhduket njëherësh bashkë me shtrëngimin e arsyes, dhe ne fillojmë ta dashurojmë atë, d.m.th. të luajmë njëkohësisht me prirjen dhe me vëmendjen tonë. 

Gjithsesi, përderisa instinkti shqisor arrin të na kontrollojë fizikisht dhe instinkti i formës moralisht, atëherë i pari e bën strukturimin tonë formal kalimtar ose të rastësishëm, kurse i dyti bën të tillë strukturimin tonë material; kjo do të thotë se është e rastësishme, nëse lumturia do të përputhet me përsosmërinë tonë, apo nëse ndodh e anasjellta. Pra instinkti i lojës, në të cilin dy instinktet e tjerë veprojnë të lidhur, do të bëjë të rastësishme ose kalimtare si prirjen tonë formale ashtu edhe atë materiale, si përsosmërinë ashtu edhe lumturinë tonë; nga ana tjetër, pikërisht pse ai i bën të rastësishme të dy këto instinkte, dhe për shkak se e rastësishmja zhduket nga e domosdoshmja, ai do arrijë ta shtypë të rastësishmen te të dy instinktet, për t’i dhënë kështu formën materies dhe realitetit formën. E në po atë masë që ai do t’u marrë ndjenjave dhe pasioneve ndikimin dinamil, në po atë masë ai do t’i vendosë ato në harmoni me idetë racionale dhe duke hequr prej ligjeve të arsyes moralin e tyre shtrëngues, do të mund të bashkojë me to interesin e shqisave. 


Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda Gjana-BORIÇI 

Marrë nga: “Mbi edukimin estetik tw njeriut”  

26 views
bottom of page