top of page

Intervistë me Elda Gjana, bilbiografe dhe përkthyese në Biblotekën kombëtare.


ree

Intervistë me Elda Gjana, bilbiografe dhe përkthyese në Biblotekën kombëtare.


Hyrje Profil i shkurtër


Në heshtjen e qetë të Bibliotekës Kombëtare, aty ku fjala e shkruar bëhet kujtesë e gjallë e një kombi, shfaqet figura e Elda Gjanës – bibliografe, përkthyese dhe studiueses së palodhur të gjuhësisë.

Ajo është një ndër ato zëra të rrallë që i japin formë dijes, duke e renditur, ruajtur dhe përkthyer për brezat që vijnë.


Rrënjët e saj shpirtërore ushqehen nga librat e trashëguar në familje dhe nga një dashuri e hershme për fjalën shqipe, ndërsa horizontet akademike i ka zgjeruar me studimet e thelluara mbi albanologët gjermanë e austriakë, të cilët shekuj më parë e panë në gjuhën tonë një thesar të pazbuluar.


Në punën e saj, Elda Gjana nuk është thjesht një profesioniste e rregullit dhe skrupulozitetit, por një ndërtuese urash midis kulturave, një “rojtar i kujtesës” që e shikon librin si një monument shpirtëror. Si përkthyese, ajo sjell në shqip autorë të mëdhenj gjermanë, duke i dhënë lexuesit shqiptar zërin e Kafka-s, Horváth-it e të tjerëve, dhe duke dëshmuar se gjuha jonë ka fuqinë të përballojë universin e çdo letërsie të madhe.


Figura e saj sintetizon tri dimensione që rrallë gjenden të bashkuara: rigorozitetin shkencor, finesën artistike të përkthimit dhe misionin e heshtur të një shërbyeseje të kujtesës kombëtare. Në këtë rrugëtim, ajo është njëkohësisht udhëtare e kujtesës, arkitekte e dijes dhe përkthyese e shpirtit njerëzor.


Vazhdojmë me intervisten


Pyetje. Edashur Elda;

1. Cilat kanë qenë rrënjët shpirtërore e familjare që ushqyen tek ju prirjen drejt gjuhës, librit dhe shkencës? A ka pasur në shtëpinë tuaj një kulturë të veçantë leximi dhe formimi?


Përgjigje.

Qysh në adoleshencën time të hershme pata fatin e madh të gjeja në bibliotekën e gjyshit nga ime më, me prejardhje nga Shkodra, librin me novela “Tregtar flamujsh” të Ernest Koliqit, botim i vitit 1935. Duke e lexuar, shijova leksikun e pasur të gjuhës shipe, muzikalitetin dhe një letërsi bashkëkohore në fillesat e saj. Ai libër, të cilit i rikthehem herë pas here, është shndërruar në një rrënjë shpirtërore në zhvillimin tim intelektual dhe gjuhësor. Më pas njohja me shkrimtarinë e jashtëzakonshme të figurave të tilla si Martin Camaj, Arshi Pipa, të cilët në forminin e tyre kanë patur të gërshetuar gjuhësinë, letërsinë, filozofinë, albanologjinë, më dhanë shtysa në këtë rrugëtim. Përherë kam qenë e rrethuar nga një bibliotekë cilësore familjare prej librash të mirë të letërsisë shqipe si dhe asaj të huaj të përkthyer mjeshtërisht në gjuhën shqipe. Gjithashtu falë xhaxhait tim, shkrimtarit, poetit dhe publicistit Myftar GJANA, ushqehesha gjithnjë me botime të Kosovës, të cilat për hir të së vërtetës asokohe ishin shumë bashkëkohore dhe pa censurë, krahasuar me botimet në Shqipëri.

Pyetje

2. Rruga juaj arsimore nga shkollimi i hershëm deri në doktoraturë në fushën e gjuhësisë është një udhëtim i gjatë dhe kërkues. Nëse do ta përkufizonit me një fjalë këtë rrugëtim, cila do të ishte ajo?


Përgjigje.

Intelektualisht e përmbushur


Rruga akademike dhe bibliografia


Pyetje.

3. Në punën tuaj shkencore keni përqendruar vëmendjen tek autorët gjermanë dhe austriakë që studiuan gjuhën shqipe në shek. XIX–XX. Çfarë thotë ky interes i tyre për vendin tonë dhe si e lexoni sot, në retrospektivë, këtë marrëdhënie kulturore?


Përgjigje.

E tërë doktoratura ime, sjell në vëmendje gjurmimet gjuhësore të albanologëve më të shquar që kanë patur si objekt studimi gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj. Pasqyrohet interesi dhe vëmendja e jashtëzakonshme e këtyre gjuhëtarve për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kjo do të thotë se gjuha jonë, kombi ynë janë vlerësuar në mënyrë të veçantë nga akademikët më të mëdhenj të katedrave të universitetve gjermane dhe austriake.

Ky inetersim duhet të na bëjë krenarë dhe të na nxisë që ta ruajmë e pasurojmë gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar si një urë lidhëse me kombe dhe kultura që na çmojnë. Ata kanë gjurmuar dhe studiuar gjuhën dhe kulturën tonë në një kohë kur ne nuk kishim as gjuhëtarë e as studiues. Sot janë mundësitë që bashkëpunimet dhe hulmutimet gjuhësore të intesifikohen edhe më shumë, meqenëse ekzistojnë institucionet, studiuesit dhe shkencëtarët shqiptarë dhe të huaj.

Kontributi shumë i çmuar i këtyre alobanologëve vijon edhe sot e kësaj dite, gjej rastin të përmend Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, i cili është një ndër figurat më të rëndësishme të albanologjisë dhe vlerësues i Shqipërisë e shqiptarëve.


Pyetje.

4. Si bibliografe në Bibliotekën Kombëtare, ju i jepni “formë” kujtesës së shkruar të një kombi. A e ndjeni se përmes punës suaj bëheni pjesë e një procesi më të madh: mbrojtjes së identitetit dhe trashëgimisë sonë shpirtërore?


Përgjigje.

Po patjetër, jam e privilegjuar dhe kam një përgjegjësi shumë të madhe për të mbrojtur e ruajtur identitetin dhe trashëgiminë tonë shpirtërore. Përditë përpunoj materiale që i kushtohen gjuhës, historisë, etnografisë shqiptare në gjuhë të huaja. Falë përvojës dhe profesionalizmit tim si bibliografe prej 25 vitesh, së shpejti do të botohet katalogu “Vepra të autorëve dhe studiuesve gjermanofonë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, autore e të cilit jam unë.


Pyetje

5. Bibliografia shpesh shihet si një punë teknike, por në thelb ajo është një akt filozofik: zgjedhja, renditja dhe ruajtja e dijes. Si e kuptoni ju këtë mision?


Përgjigje.

Profesioni im si bibliografe përveçse kërkon profesionalizëm, kërkon edhe kulturë, skrupulozitet, saktësi. Si mision, është shumë i rëndësishëm, sepse nuk vlen vetëm për studiuesit, shtresën elitare, por edhe për lexuesin më të thjeshtë.


Përkthimi dhe filozofia e gjuhës


Pyetje

6. Si përkthyese e autorëve klasikë dhe modernë gjermanë, sa herë keni ndjerë se fjala e huaj nuk ka një “strehë” të plotë në gjuhën shqipe? Çfarë bën përkthyesi në këto raste: krijon, përshtat, apo hesht?


Përgjigje.

Tek unë nuk ekziston heshtja. Gjuha shqipe i ka të tëra mundësitë për të përballuar gjuhët e huaja, në këtë rast gjermanishten, e cila është një ndër gjuhët më të pasura në botë. Ne përkthyesit e gjermanishtes kemi një fat shumë të madh, sepse kemi një shkollë të fortë përkthimi të përfaqësuar nga Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Robert Shvarci, Afrim Koçi, Aristidh Ristani, Shpëtim Çuçka, Ardian Klosi, ndër ta veçoj Afrim Koçin, mentorin tim. Këto figura me përkthimet e tyre mjeshtërore na kanë dhënë shembuj pafund, sesi të veprojmë për përkthime sa më cilësore.

Sa më shumë përkthej, aq më shumë më përforcohet bindja se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë të përballojë çfarëdolloj gjinie të letërsisë, filozofi, gjuhësi etj.


Pyetje

7. A është përkthimi për ju një akt shërbimi ndaj lexuesit, apo një akt krijues i barabartë me shkrimin?


Përgjigje.

Sipas këndvështrimit tim, përkthimi është një akt krijues i barabartë me shkrimin. Pra është detyra ime që mos ta “tradhëtoj” autorin, por të jem zëri i tij në gjuhën shqipe.


Pyetje

8. Në marrëdhënien mes gjermanishtes dhe shqipes, cilat janë pikat ku gjuhët takohen në thellësi, dhe cilat janë “humbëtirat” ku nuk arrijnë të përputhen?


Përgjigje.

Sigurisht secila ka karakterin e saj shoqëror, historik dhe ligjet e rregullat e veta të organizimit dhe të funksionimit, por mos të harrojmë që të dyja janë gjuhë indoevropiane.

Sa për “humbëtirat” që duhen përmbushur, mendoj se është leksiku, në këtë rast shumë i pasur i gjermanishtes, dhe detyra jonë si përkthyes është që të rijetëzojmë fjalë, të cilat ekzistojnë në gurrën e shqipes. Kjo kërkon kulturë të gjerë, lexim të pandërprerë dhe disiplinë pune, njohje shumë të mirë të dy gjuhëve përkatëse.


Pyetje

9. Ju keni sjellë në shqip Kafka-n, Zëeig-un, Horváth-in e shumë të tjerë. A ka një mesazh universalisht njerëzor që, sipas jush, përshkon veprat e tyre dhe që prek edhe lexuesin shqiptar?


Përgjigje.

Në konceptin tim unë nuk e ndaj lexuesin sipas kombësisë. Në një botë, ku komunikimi është gjithnjë e më i afërt, pa barriera, është bukur të flasim për një komunitet lexuesish, i cili sulmohet nga teknologjia. Dhe ajo që e bashkon këtë komunitet lexuesish janë pikërisht mesazhet njerëzore që përcillen nga shkrimtarë të tillë që përmendët ju.

Jam e bindur që Kafka dhe autorët e lartpërmendur, jo vetëm që janë të gjithkohshëm, por edhe pa kombësi. Ata i drejtohen një lexuesi pa përkatësi kombëtare. Dhe sa më shumë modernizohet letërsia, aq më universale bëhet ajo.


Pyetje

10. A mund të thuhet se përkthyesi është edhe një filozof i heshtur, i cili mediton mbi kufijtë e të shprehurit dhe të pashprehshmes?


Përgjigje.

Përkthyesi qëndron gjithmonë pas autorit dhe ky i fundit flet nëpërmjet përkthyesit. Si shkrimtari ashtu edhe përkthyesi gjithmonë përballen me sfidën e të shprehurit të së pashprehshmes, dhe këtu e kam fjalën për shkrimtarët lider të mendimit letrar.

Procesi i meditimit patjetër duhet të sjellë një rezultat dhe hera – herës ky rezultat mund të jetë ajo që ju thoni, të shprehësh të pashprehshmen. Si rrjedhojë kemi një histori suksesi.


Përvoja ndërkombëtare dhe përballja me kulturat


Pyetje

11. Në udhëtimet tuaja shkencore dhe akademike në Gjermani, Austri, Zvicër, Maqedoni e Egjipt, keni vizituar biblioteka e institucione të ndryshme. Çfarë reflektimesh ju ka dhënë kjo për vendin tonë dhe nivelin e ruajtjes së dijes këtu?


Përgjigje.

Jo vetëm si lexuese, por edhe si bibliografe, sa herë kam patur mundësi kam shfrytëzuar rastin të vizitoj biblioteka në qytete të botës. Ajo që më ka bërë përshtypje është se bibliotekat vazhdojnë të jenë tempuj dijesh për studiues, studentë e më gjerë.

Materialet janë lehtësisht të aksesueshme dhe ofrojnë komoditet për lexuesin, gjë që jo gjithmonë e ofrojnë bibliotekat në Shqipëri. Fondet e hapura janë një lehtësi e jashtëzakonshme për lexuesin, shkëmbimi dhe huazimi i materialeve midis bibliotekash realizohet shumë shpejt dhe pa pengesat e burokracive, materialet e digjituara që ofrohen online janë një lehtësi tjetër shumë e madhe për lexuesin.

Përsa i përket ruajtjes së dijes në Bibliotekën Kombëtare, pohoj se përpjekjet e stafit të bibliotekës janë këmbngulëse në këtë drejtim. Sigurisht kjo në varësi të fondeve të paracaktuara nga shteti. Në lidhje me digjitimin e antikuarëve dhe disa periodikëve është bërë një punë e lavdërueshme nga punonjësit e Bibliotekës Kombëtare. Ofrohen fonde të hapura në Qendrën “Sotir Kolea”, e cila është një aneks i Bibliotekës Kombëtare.

Gjithsesi krahasimi me biblioteka që kanë traditë shekullore, si ajo e Vjenës, Berlinit apo Aleksandrisë do të ishte një nxitje shumë e mirë për Bibliotekën Kombëtare Shqiptare për të arritur ato nivele.


Pyetje.

12. A mendoni se përvoja ndërkombëtare nuk është vetëm një kualifikim profesional, por edhe një “pasqyrë” për të parë vetveten dhe kombin nga jashtë?


Përgjigje.

Sigurisht që përvoja ime profesionale jashtë vendit, ka përsosur dijen dhe njohuritë e mia. Përballja me përvojat më të mira botërore më kanë dhënë mundësinë të ngrihem më lart në kualifikimin tim profesional. Dhe besoj që në këtë mënyrë i shërbej më mirë Bibliotekës Kombëtare dhe fushës së përkthimit.

Shqipëria është një vend në zhvillim, dinjitoz dhe aspak inferior ndaj vendeve të tjera. Pjesëmarrja ime në Konferenca të ndryshme është shndërruar në një shkëmbim dijesh midis të huajve dhe studiuesve shqiptarë.


Pyetje

13. Në punën tuaj ndërkulturore, a keni ndjerë ndonjëherë se jeni ndërmjetëse mes dy botëve që nuk komunikojnë lehtë, por që ju i afroni përmes gjuhës dhe librit?


Përgjigje.

Ky është misioni im, të krijoj ura lidhëse midis dy botëve, dy kulturave dhe dy gjuhëve. Në këtë botë ku jetojmë, në të cilën teknologjia po bëhet gjithnjë e më dominuese, mënyrat e komunikimit (mediat, rrjetjet sociale, iteatri, arti në përgjithësi) janë të shumta, unë përmbush komunikimin përmes gjuhës, e cila është një dukuri që i shërben gjithë shoqërisë, si një mjet i marrëdhënieve midis njerëzish, si një mjet i shprehjes së mendimeve duke u dhënë mundësi njerëzve të merren vesh mes tyre.


Kontributi shkencor dhe kumtet akademike


Pyetje

14. Në konferencat dhe simpoziumet ku keni marrë pjesë, shpesh keni trajtuar çështjen e autoktonisë, të huazimeve, apo të përkimeve gjuhësore. Çfarë kuptimi filozofik ka, sipas jush, kërkimi i origjinës dhe rrënjëve në gjuhë?


Përgjigje.

Albanologët gjermanofonë, duke e bërë gjuhën shqipe objekt studimi, arritën në përfundimin shkencor, i cili tashmë është i padiskutueshëm, se gjuha shqipe është pjesë e gjuhëve indoevropiane. Pra përcaktuan familjen tonë të përbashkët të gjuhëve, duke përcaktuar kështu identitetin tonë evropian si pjesë e këtij kontinenti që i ka dhënë kaq shumë botës me kulturën e tij.


Pyetje.

15. Shkenca albanologjike shpesh është bërë edhe një betejë identitare. Si e ruan studiuesi integritetin shkencor mes pasionit kombëtar dhe objektivitetit akademik?


Përgjigje.

Jemi një ndër popujt më të lashtë në Ballkan, ç’ka është vërtetuar tashmë shkencërisht si nga pikëpamja arkeologjike, historike dhe gjuhësore. Gjithçka mbështet mbi baza shkencore dhe jo mbi pasionin kombëtar, një albanolog apo studiues nuk duhet të përfshihet aspak nga pasionet nacionaliste, por të bazohet vetëm në dëshmi dhe fakte shkencore.


Pyetje

16. A mendoni se bibliografia dhe albanologjia nuk janë thjesht fusha të specializuara, por pjesë e një “arkeologjie shpirtërore” që hulumton vetë qenien e shqiptarëve?


Përgjigje.

Pa diskutim që albanologjia, kjo degë ndërdisiplinore e shkencave humane, e cila ka për synim studimin e gjuhës, letërsisë, historisë, artit, kulturës dhe zakoneve të shqiptarëve, si rrjedhojë gjurmon edhe vetë qenien e tyre. Është detyrim kombëtar për shkencën shqiptare që ta thellojë e zhvillojë këtë degë, në institucionet e ngritura nga shteti shqiptar, ku studiues të disiplinave përkatëse merren me këtë fushë. Po kështu edhe departamenti ku unë punoj prej vitesh, kontribuon në këtë fushë, duke zbërthyer e përpunuar materiale studimore kushtuar kësaj fushe.


Filozofia e punës dhe misioni personal


Pyetje.

17. Puna juaj në Bibliotekën Kombëtare përfshin katalogim, digjitalizim, restaurim, por edhe përkthim. Nëse do ta shihnit gjithë këtë si një metaforë, cili do të ishte imazhi që ju përfaqëson: arkitekt i dijes, kopshtar i fjalës, apo udhëtar i kujtesës?


Përgjigje.

Më saktë do ta përcaktoja si përgjegjëse e ruajtjes së vlerave.


Pyetje

18. Në epokën e “fake neës” dhe informacionit të shpejtë, çfarë kuptimi merr sot puna e bibliotekarit dhe bibliografit? A është kjo një formë rezistence ndaj harresës dhe sipërfaqësisë?


Përgjigje.

Jo vetëm kaq, është një formë e rezistencës për ruajtjen e kulturës së librit, në vendin tonë në veçanti dhe në botë në përgjithësi. Numri i lexuesve ulet gjithnjë e më shumë, ka më pak frekuentues në bibliotekë e në librari, por është detyra jonë, e çdo intelektuali të ruajë kulturën e lashtë të librit. Me mijëra shkrimtarë e studiues kanë kontribuar në këtë kulturë, krijimtaria e tyre ruhet në këto biblioteka. Ajo duhet të vazhdojë të ekzistojë edhe në epokën e teknologjisë, duhet të vazhdojmë ta ruajmë kënaqësinë e lexuesit përpara fletëve të një libri. Gjithashtu duhet të theksojmë faktin se ajo që gjendet nëpër biblioteka është një nga gjërat më me vlerë që raca njerëzore ka krijuar.


Pyetje.

19. Si e shihni rolin e dijes dhe kulturës sot në shoqërinë shqiptare: si një nevojë thelbësore për të mbijetuar, apo si një luks që ende nuk është vlerësuar mjaftueshëm?


Përgjigje.

Jam e mendimit se njeriu ka një marrëdhënie personale me dijen dhe kulturën. Dija dhe kultura janë të hapura për çdokënd, duhet vullneti i njeriut tu afrohet atyre dhe të përthithen prej tij. Është nevojë që buron nga brenda. Njeriu nuk e merr kulturën dhe dijen që të vlerësohet nga të tjerët. Është vetë sistemi shoqëror që duhet të krijojë mekanizma, të cilat duhet tu vënë fre injorantëve, mediokërve dhe njerëzve pa kulturë për të mos u vendosur në poste drejtuese. Siç thotë Dritëroi i mençur: “Nuk duhet të vendosim gomarin përpara kalit”.

Pyetje.

20. Cili është mesazhi juaj për brezat e rinj studiues, përkthyes dhe bibliotekarë që hyjnë në këtë rrugë? Çfarë duhet të ruajnë në shpirt për të mos humbur thelbin e misionit kulturor?


Përgjigje.

Secila prej këtyre fushave është e pafundme. Ndiq prirjen tënde natyrore drejt dijes!


Ju faleminderit e dashur Elda Gjana.


Ishte kënaqësi biseda me ju znj.Liliana.


© 2024–2025 Liliana Pere –

Themeluese, Botuese, Autore

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page