Prof. Dr. Aurela Anastasi PROFESOR LUAN OMARI PËR FORMAT E QEVERISJES DHE PARLAMENTARIZMIN
- 5 days ago
- 7 min read

Revista Prestige ju sjell:
Analizë e artikullit të Prof. Dr. Aurela Anastasit
Dhe më poshtë është shkrimi i saj i plotë shumë i rëndesishëm.
Tema: Trashëgimia e Prof. Luan Omarit dhe rëndësia e mendimit kushtetues në Shqipëri
Për çfarë flet artikulli?
Artikulli i Prof. Aurela Anastasit është një reflektim i thellë dhe personal për figurën e Prof. Luan Omarit – një nga mendimtarët më të mëdhenj të së drejtës kushtetuese shqiptare. Ai nuk është thjesht një përkujtim, por një thirrje për të kuptuar rëndësinë e dijes juridike në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit demokratik.
Prof. Anastasi ndalet në mënyrë të veçantë tek:
Roli i Prof. Omarit në formësimin e debatit mbi format e qeverisjes;
Rëndësia e ndarjes së pushteteve dhe parlamentarizmit;
Nevoja për një drejtësi të pavarur dhe opozitë funksionale;
Kontributi i tij në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998 dhe reformën në drejtësi në vitin 2016.
Cili është mesazhi i artikullit?
Mesazhi qendror është i qartë:
Demokracia nuk mund të mbijetojë pa balancën e pushteteve, pa një parlament të fuqishëm, pa opozitë aktive dhe pa gjyqësor të pavarur. Por mbi të gjitha, nuk mund të qëndrojë pa mendim të pavarur dhe kritik juridik.
Prof. Anastasi na kujton se:
Mendimi kushtetues nuk është luks, por është një garanci për lirinë dhe mbrojtjen nga abuzimi i pushtetit.
Profesorët dhe dijetarët si Luan Omari janë shtyllat e padukshme të shtetit të së drejtës – jo me pushtet, por me dije.
Sot, rrezikojmë të kemi institucione me emra, por pa përmbajtje, nëse nuk e ushqejmë sistemin me ide, reflektim dhe dije të vërtetë.
Çfarë vlen të nënvizohet?
1. Përvoja personale e autores, si studente në vitet ’80, e tregon qartë ndikimin e mendimit të guximshëm edhe në kohë represive.
2. Ndarja e pushteteve nuk është vetëm një koncept teorik. Ajo është një mburojë kundër abuzimit, dhe Prof. Omari e ka shpjeguar gjithmonë me përpikëri dhe aktualitet.
3. Parlamentarizmi në Shqipëri është i dobët, dhe është detyra e juristëve ta rimendojnë, ta mbrojnë dhe ta zhvillojnë.
4. Opozita nuk është armik i qeverisë, por një pjesë thelbësore e një demokracie të shëndetshme. Kjo ide, e mbrojtur nga Omari, sot shpesh injorohet.
5. Reforma në drejtësi nuk duhet parë si një ndërhyrje teknike, por si një proces kushtetues, ku drejtësia duhet të jetë e pavarur, jo e nënshtruar.
Pse është i rëndësishëm ky artikull sot?
Në një kohë kur debati publik dominohet nga interesat politike dhe retorika, artikulli i Prof. Anastasit është një zë i qetë dhe i thellë që kërkon kthimin tek vlerat:
Te respekti për institucionet;
Te dija e mirëfilltë;
Te roli i juristit si mbrojtës i barazisë, drejtësisë dhe lirisë.
Përfundim
Artikulli i Prof. Dr. Aurela Anastasit është më shumë se një përshkrim i figurës së një profesori. Ai është një manifest për mbrojtjen e demokracisë përmes dijes dhe integritetit kushtetues. Ajo na kujton se:
“Kushtetuta është e gjallë vetëm kur e mbrojmë me mendim të lirë, me kritikë të ndershme dhe me dije
Prof. Dr. Aurela Anastasi
PROFESOR LUAN OMARI PËR FORMAT E QEVERISJES DHE PARLAMENTARIZMIN.
(REFLEKSIONE ME RASTIN E 100 VJETORIT TË LINDJES)
Format e qeverisjes i kam mësuar për herë të parë nga leksionet e Prof. Luan Omarit në fillim të viteve ’80, kur zhvillonim lëndën: “Teoria e Shtetit dhe e së Drejtës”. Profesori i shpjegonte ato në një trajtim të krahasuar të modeleve demokratike që ofronin Franca, Anglia, Gjermania, Italia, e madje, edhe forma presidenciale e qeverisjes në SHBA. Ato nuk ishin trajtuar në asnjë prej teksteve universitare të kohës dhe falë shënimeve që mbanim nga leksionet plot me njohuri të profesorit, i kisha shkruar në fletoren time me shumë shkurtime e iniciale, të cilat i rilexoja herë pas here. Format e qeverisjes e grishnin shumë kuriozitetin tonë, sepse në ato vite të izolimit komunist, lidheshim me botën perëndimore, për të cilën analizat mund të bëheshin vetëm përmes kritikës mohuese. Përkundrazi, në leksionet e Profesorit, format parlamentare ose presidenciale renditeshin të krahasuara, pa interpretime. Kishte edhe diçka tjetër që na bënte përshtypje: format e qeverisjes bazoheshin në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parim i cili në atë kohë kritikohej rëndë dhe ishte i papranueshëm për një shtet socialist. Ky i fundit bazohej në parimin leninist të unitetit të pushtetit, si pushtet që buronte nga populli dhe ishte i pandashëm. I diskutonim me njëri-tjetrin dhe padyshim, kërkonim të dinim më tepër, por ishte e vështirë të gjeje literaturë në kontekstin perëndimor. Trajtimi i profesorit ishte ndër leksionet e rralla që bazoheshin në interpretimin krahasimor, për më tepër me demokracitë perëndimore. Sot, kjo metodologji është mbizotëruese në studimet e të drejtës Kushtetuese.
Pas rënies së regjimit monist, me botimin e veprës “Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese” (2011), Prof. Omari i analizoi ato thellësisht. Përpos të tjerave, ai është një studiues i dedikuar i raportit midis pushteteve dhe i kërkimit për të vendosur balancat e duhura midis tyre. Idetë dhe qëndrimet e tij, profesor Omari i ka shprehur në këtë punim përmes një dialogu me teori dhe përsiatje të reja që qarkullojnë në botën e doktrinës kushtetuese lidhur me shtetin e së drejtës, me ndarjen dhe balancën midis pushteteve, si dhe me sovranitetin shtetëror. Ai solli në punim, jo vetëm teoritë më të rëndësishme klasike të Xhon Lokut e Monteskjesë, por edhe teori të reja për një rishikim të ndarjes së pushteteve. Falë kulturës së tij të gjerë dhe njohjes së disa gjuhëve të huaja, në këtë punim kanë zënë vend teoricienët me më tepër ndikim sot në botë, si Maurice Duverger, Bruce Ackerman, Michel Troper, Carre de Marlberg, Ives Meny, etj.
Edhe studimi i tij “Sistemi Parlamentar” (2000) ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm për parlamentarizmin si parim, si dhe sistemin parlamentar të qeverisjes. Në të dyja veprat, spikat kultura e gjerë të autorit, i cili shquhet për gjuhën akademike e juridike të qartë. Ai është njohës i shkëlqyer i historisë së zhvillimit të qeverisjes dhe modeleve britanike, franceze, gjermane, të SHBA-së, të Italisë, etj. Kjo njohje i ka dhënë ndihmesë për të bërë krahasimet e përvojave të shumta në botë, me kushtet e zhvillimit tranzicional të Shqipërisë, duke arritur në konkluzione të rëndësishme për Shqipërinë. Në këtë kuadër, ka dhënë një kontribut krejt origjinal dhe mjaft të pasur me argumente, konkluzione e sugjerime të vlefshme.
Duke analizuar raportet midis pushteteve dhe formën e qeverisjes sipas Kushtetutës së Shqipërisë (1998), ai ka mëshuar në karakterin parlamentar të sistemit të vendosur nga kjo Kushtetutë. Profesori analizon raportin midis Parlamentit dhe Qeverisë si në vështrim të përgjithshëm, ashtu edhe të posaçëm, sidomos në kuadrin e ushtrimit të pushtetit normativ, duke nxjerrë mësime për raportet midis tyre. Ai evidenton edhe tiparin monoqefal të ekzekutivit në Shqipëri, të cilin e krahason me Gjermaninë dhe Italinë, duke e dalluar atë nga karakteri monoqefal i sistemit presidencial apo gjysmëpresidencial të SHBA-së e Francës. Të gjitha pikëpamjet bazohen në një studim të thelluar të praktikave botërore mbi rolin e ekzekutivit dhe ndërhyrjen e tij në funksionin normativ, përmes propozimit të projektligjeve. Problemi që shtron këtu profesori, lidhet me profilin që duhet të ruajë më mirë Kuvendi në një sistem parlamentar, duke pasur parasysh se funksioni ligjvënës është funksioni i tij themelor. Kur analizon rolin e Kryeministrit, shpreh shqetësimin për mundësinë e fuqizimit të tij, në kushtet kur Kushtetuta e ka veshur me pushtetin e kreut të ekzekutivit. Profesor Omari thekson se për këtë fuqizim ndikojnë edhe tendencat që vijnë nga vendet e tjera, të cilat i merr në analizë. Ndërkohë, ai dallon rastin e ekzekutivit me presidentin në republikat presidenciale, ku presidenti zgjidhet nga populli për një mandat të përcaktuar e të kufizuar, ndryshe nga sistemi parlamentar, ku kryeministri nuk është një funksion i kufizuar me mandate. Në këto kushte, fuqizimi i rolit të Parlamentit është i rëndësishëm për demokracinë. Në këtë aspekt, duhet interpretuar edhe shqetësimi i tij për forcimin e opozitës parlamentare. Analiza kritike që ai ka zhvilluar për kundërpushtetet ose kundërpeshat në teorinë e re për ndarjen e rishikuar të pushteteve, e dimensionon opozitën edhe si kundërpeshë, për të forcimin e së cilës jep mjaft ide të vlefshme.
Një vend të rëndësishëm zë edhe trajtimi i raporteve me pushtetin gjyqësor, të cilin e shikon të lidhur ngushtë me pavarësinë e tij, shmangien e ndërhyrjeve të pushtetit politik ndaj tij, si dhe eliminimin e korruptimit të gjyqtarëve e prokurorëve. “Dhe kusht vendimtar që gjyqësori të japë drejtësi,- thekson profesori, është që ai të funksionojë në mënyrë të pavarur nga pushtetet e tjera, të cilat kurrsesi nuk duhet të përfshihen në zgjidhjen e konflikteve”. Ai e shikon pushtetin gjyqësor si një pushtet për zgjidhjen e konflikteve, duke theksuar më shumë karakterin e tij si pushtet kontrolli dhe korrigjimi, pa e parë atë si një pushtet për krijimin e normave. Këto të fundit i takojnë parlamentit dhe ekzekutivit.
Një gjyqësor të fortë, Prof. Omari e sheh si kusht për demokracinë liberale. Qartazi kritikon qasjen e hershme të Francës ndaj gjyqësorit, që e shihte si pushtet të dobët në raport me dy pushtetet e tjera. “Pushtetit gjyqësor, i harruar nga Loku dhe i përfshirë në teorinë e Monteskjesë ndër tri pushtetet e shtetit, i është njohur gjithmonë një pozitë e veçantë, edhe kur si p.sh., në Francën goliste,- thekson ai, është cilësuar jo më si pushtet, por si “autoritet gjyqësor”. Prof. Omari nuk pajtohet aspak me këtë emërtim kur thekson më tej se: “Ndarja e pushteteve nuk është vetëm një kriter ndarjeje kompetencash, siç thoshte teoria sovjetike e shtetit dhe e së drejtës, por lidhet edhe me garantimin e të drejtave….”.
Është një karakteristikë e punimeve të tij gjerësia e informacionit nga përvojat botërore, metoda krahasimore dhe vështrimi kritik për ndodhitë kushtetuese në vend. Për mbrojtjen e Kushtetutës, kjo bëhet edhe më e dukshme. Profesori ka analizuar sidomos ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat ishin ndryshime esenciale për raportet midis pushteteve. Në mënyrë të veçantë ai thekson se: “Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë ngjallur reagimin ...e opinionit të gjerë publik, për mënyrën jotransparente dhe të nxituar me të cilën u bënë”. Më tej, ai këshillon se ndryshime të tilla duhet të paraprihen nga një diskutim i gjerë, edhe jashtë parlamentit, për të cilin sugjeron edhe krijimin e një komisioni të posaçëm. Ky vizion zuri vend tërësisht në procedurën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, të vitit 2016. Kjo është Reforma në të cilën profesor Luan Omari kontribuoi në emër të Komisionit të Venecies, me sugjerime e oponenca për materialet e përgatitura nga ekspertët. Më parë kishte kontribuuar përulësisht për hartimin e kushtetutës së vitit 1998. P.sh., argumentet e tij në favor të sistemit njëdhomësh, ishin mjaft ndikuese.
Për ta përmbyllur, dëshiroj të theksoj se, në fushën e hartimit të kushtetutave Prof. Luan Omari është një shkollë mendimi në Shqipëri, e cila na shërben sot dhe do t’u shërbejë brezave në vijim. Mbi këtë bazë, kam një thirrje për studimet juridike shqiptare që, të zgjerojnë e thellojnë studimin në këto fusha. Vërej me shqetësim, se sistemet e qeverisjes dhe parlamentarizmi po lihen mënjanë nga studimet juridike, duke u zotëruar vetëm nga studiuesit e shkencave politike. Kjo do ta cungonte fjalën e juristëve që është e domosdoshme për të ardhmen e kësaj fushe studimore, si dhe për vetë demokracinë.